
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke përcaktuar qëndrimin e autoriteteve ndaj mbarëvajtjes së protestave dhe ndërhyrjeve të forcave të rendit.
Ministri theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë, duke siguruar që uniformat blu nuk do të jenë asnjëherë nxitëse të përplasjeve.
Demo sqaroi se çdo ndërhyrje operacionale bëhet mbi parimin e proporcionalitetit dhe paralajmëroi se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përballet individualisht me ligjin.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.
Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.
Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.
Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.
Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.
Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.
Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.



