Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka folur ditën e sotme te “Ora News” për takimin Rama-Basha, të cilin ka marrë përsipër ta ndermjetësojë.
Nishani tha se është në kontakt me Ramën dhe Bashën për takimin. Por ai tha se akoma nuk është caktuar tema e diskutimit dhe kornizat e tij.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me ta. Ende nuk kemi përcaktuar temat e diskutimit. Jam i gatshëm të diskutojmë për çdo gjë, për shtyrje zgjedhjesh, për qeveri teknike etj, nëse palët bien dakord”, tha Nishani.
Sa i përket 18 qershorit, Nishani tha se teknikisht do të ketë zgjedhje, por këto zgjedhje nuk do të legjitimojnë të gjitha institucionet. Sipas tij do të mungojë pluralizmi.
Në emisionin “Arena” Nishani deklaroi se duhet të jetë vetë palët politike, opozita dhe mazhoranca që duhet të bien dakord nëse do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.
Ndërkohë që Edi Rama me bindje ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në 18 qershor, ndërsa opozita vazhdon bojkotin e saj parlamentar duke mos u regjistruar në KQZ.
Ndërsa aleati kryesor i së majtës, kreu i LSI-së, Ilir Meta është shprehur hapur se pa opozitën nuk do të ketë zgjedhje.



