Dega e Partisë Demokratike në Shkodër ka akuzuar këtë të enjte se në ambientet e brendshme të burgut tëReçit, po blihen vota për deputetin socialist, Paulin Sterkaj.
Sipas PD-së, rreth 350 të dënuarve që ndodhen në këtë burg, po u jepen para në mënyrë që ata të votojnë për Sterkajn, i cili kandidon për një tjetër mandat.
Denoncimi i PD:
Bandën në ikje e ka kapur paniku i humbjes së thellë dhe përballjen me drejtësinë pas 25 Prillit, prandaj po mundohen me çdo formë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve. Por nuk do ia dalin.
Skemat e shitblerjes së votës të inspiruara nga Edi Rama dhe të ekzekutuara nga segmente kriminale do të përballen me forcen e ligjit pas 25 Prillit. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, të mos bëhet palë me krimin elektoral, por të rreshtohet në krah të interesave të qytetarit. Kurrë nuk është vonë.
Partia Demokratike Dega Shkodër ka informacione për shitblerjen e votës dhe presionin ndaj administratës shtetërore nga ana e kësaj strukture kriminale. Konkretisht. Sipas një informacioni mësohet se: Në ambientet e brendshme te I. E. V. P. Reç në rrethin M. Madhe, ndodhet nje minimarket, local, në administrimin shtetasi Ylli Sterkaj, i cili në bashkëpunim edhe me drejtuesit e kësaj I. E. V. P-je janë përfshirë në aktivitetin e blerjes se votës. Konkretisht të lartëpërmendurit po shpërndajnë vlera monetare “lek” me qëllim blerjen e votave në favor të kandidatit të PS., Paulin Sterkaj.
Nga të dhenat mësojmë se numri i personave që vuajnë dënimet në këtë I. E. V. P. është rreth 350 të burgosur. Nuk ka bandë që minos demokracinë. Nuk ka bandë që do e deformojë vullnetin e qytetarëve me 25 Prill. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krah të qytetarëve për të mbrojtur një proçes të rregullt dhe të ndershëm zgjedhor.



