Deputeja Rudina Hajdari ka akuzuar qeverinë gjatë fjalës së saj nga foltorja e Kuvendit se nuk i ka ndihmuar sa duhet shqiptarët në këtë kohë pandemie.
Hajdari ka akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama për këtë situatë, duke u shprehur se qeveria i ka dhënë qytetarëve në tre muaj vetëm 2 mijë lekë të vjetra me të cilat nuk mund të bësh asgjë.
“Gjatë vitit 2020 qeveria pseudo e majtë iu ka dhënë qytetarëve në krizën më të madhe 110 milionë euro. Po ta shpërndajmë këtë shifër do të dalë që cdo qytetar ka marrë 400 mijë lekë të vjetra për tre muaj. Në këto tre muaj i bie që këto banorë kanë 130 mijë lekë, ku ato paguajnë 70 mijë fatura në muaj dhe iu mbeten vetëm 60 mijë lekë. Kështu, qytetarët kanë marrë vetëm 2 mijë lekë të vjetra në ditë. Po çfarë mund të bëhen sot me 2 mijë lekë të vjetra? Më thoni kryeministër si mundet sot një qytetar të shtyjë ditën me 2 mijë lekë të vjetra, në këtë kohë pandemie e krize? Qytetarët janë të lënë në mëshirë të fatit. Kjo krizë e madhe erdhi, sepse ju vetëm paguat koncesionet më shumë se qytetarët. Nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka pasur mundësi ekonomike për të ndihmuar qytetarët gjatë pandemisë. Sot ne po përballemi me pasoja shumë më të mëdha”, deklaroi Hajdari.



