
Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së bërë nga aktivistja Evi Kokalari në takimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha në Durrës. PD i quan shpifje fjalët e Kokalarit, ndërsa do ta padisin atë në gjykatë.
“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.
Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Por cila ishte deklarata e bërë nga aktivistja Kokalari në Durrës? Ajo është shprehur se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha hoqi Berishën nga Grupi Parlamentar, me qëllim mbylljen e dosjes së tij në SHBA, të cilën ajo tha se do ta dërgojë në Kongres nëse Basha merr vizë për të hyrë në Amerikë.
“Disa mendojnë që po i rri afër z. Berishës që të bëhem kryetare e PD-së. Por më besoni, duhej shumë mund që të më sillnin mua në Shqipëri pas kaq shumë kohësh. Unë nuk ka nevojë të bëhem kryetare e PD-së sepse ne e kemi kryetarin e PD-së, ai është z. Sali Berisha. Dua të flas pak për dosjen e Lul Bashës që ka ekzistuar në Amerikë edhe Shqipëri. Secili nga ju mund të shkojë te fara, që është agjencia ku regjistrohen agjentët e huaj, që janë grupet lobiste. Basha nuk kishte Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë”, ka thënë aktivistja Kokalari.



