
70 vjet më parë, 12 të Evropës e të Amerikës së Veriut themeluan NATO-n. 70 vjet pas, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg mbajti një fjalim përpara kongresit amerikan. Ai ka kritikuar Rusinë se nuk po i përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare të sigurisë dhe është shndërruar në një kërcënim edhe për aleancën. Stoltenberg paralajmëroi Kongresin amerikan për kërcënimin që paraqet ndaj aleancës Rusia, që ai tha se është bërë “më agresive”, duke përfshirë shkeljet e saj ndaj Traktatit të Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi.
“Pozicioni i NATO-s është i qartë, nuk ka raketa të reja europiane por raketa ruse. Deri më tani Rusia nuk ka bërë asnjë hap para për të bashkëpunuar prandaj i bëj sërish thirrje. Ne nuk duam një lufte të re të ftohtë, por nuk mund te jemi naïvë, një marrëveshje që nuk zbatohet nga të dyja palët nuk na mban të sigurt. Prandaj ne do të qëndrojmë të përgatitur për t’iu përgjigjur cdo kërcënimi të mundshëm të sigurisë dhe paqes.” shtoi Stoltenberg.
Stoltenberg e vlerësoi si rrënjësor dhe tejet të vlefshëm partneritetin e SHBA me NATO-n. Ai u shpreh se në historinë e NATO-s ka pasur shumë ndryshime në mendime, janë kapërcyer herë pas here. “Sepse në fund ne ramë të gjithë dakord, që Amerika e Veriut dhe Evropa janë më të sigurta së bashku."shtoi Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Zoti Stoltenberg e përdori fjalimin e tij edhe për të argumentuar me forcë se NATO-ja është "aleanca më e suksesshme në histori", edhe pse Presidenti Donald Trump shpesh është shprehur me komente ironike për të.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka takuar një ditë më parë edhe presidentin e SHBA, Donald Trump ku mes të tjerash u fol për ndarjen e barrës financiare mes anëtarëve të Aleancës.



