Disa prej protestuesve të lidhur me opozitën kanë përfunduar në qeli, pas akuzave për sulme me molotov ndaj institucioneve shtetërore dhe forcave të policisë gjatë protestës së 17 prillit në Tiranë.
Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 nga 11 të arrestuarit, vendim i marrë nga gjyqtari Enkel Peza, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas organit të akuzës, ndaj tyre ekzistojnë prova të mjaftueshme që i implikojnë në akte dhune, përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese artizanale.
Në pranga mbetën Klement Çuçka (38 vjeç), Bujar Tusha (29 vjeç), Henri Shapllo (30 vjeç), Mirvet Toçilla (50 vjeç) dhe Semi Bici (25 vjeç). Ata akuzohen për “Kundërshtim të punonjësit të rendit publik”, “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit”.
Të pestë kanë mohuar përfshirjen në akte të dhunshme, por sipas policisë janë kapur në flagrancë, ndërsa në çantat e tyre janë gjetur maska dhe lëndë piroteknike. Provat e paraqitura në gjykatë përfshijnë edhe pamje filmike të kapura me dron, të cilat tregojnë momentet e sulmit ndaj godinës së Kryeministrisë.
Për gjashtë protestuesit e tjerë, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitjeje”, ndonëse prokuroria kishte kërkuar “arrest shtëpie” për dy prej tyre.



