Ilir Meta i cili deri në momentin që do të mandatohet president i Shqipërisë, kryeson fushatën elektorale të LSI-së, hodhi akuza mjaft të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat Lulzim Basha.
Duke i vlerësuar si dy fëmijë të llastuar, Meta tha se Rama dhe Basha i morën gati partitë, dhe nën drejtimin e tyre i shkatërruan. Në një takim elektoral në qytetin e Pogradecit ku prezantoi kandidatët për deputetë të LSI-së, Meta tha se do të mbajë përgjegjësi kushdo që cenon votën, socialistë apo demokratë qoftë.
“Ka struktura të PD-së dhe PS-së në Pogradec? Ka vetëm drejtor që bëjnë presion. Po s’votove do të heqim dritat, do të heqim njerëzit nga puna”, tha Meta duke folur për 1 milionë shqiptarë që më 25 qershor do të dinë të zgjedhin në kutinë e votimit.
Në fakt numri 1 milionë është përdorur shpesh nga kryeministri Edi Rama, si një milionë shuplaka që ju dhanë PD-së në 2013-ën, kur socialistët morën pushtetin në koalicion me LSI-në. Meta foli me bindje se LSI-së do të dalë forcë e parë. “1 mln shqiptarë më 25 qershor në kutitët e votimit”, - theksoi ai.
Ish-kreu i LSI-së tha se forca politike e drejtuar tashmë nga Petrit Vasili, nuk do të lejojë që Shqipëria “të kthehet në varreza të mbetjeve më të rrezikshme të Evropës”.
“Kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të lejojmë mafien italiane të shkatërrojë Pogradecin, Vlorën, Sarandën, Durrësin...”, tha Meta.



