
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë një tjetër dhuratë Ministrisë së Mbrojtjes. Konkretisht, Emergjencave Civile, që nga ministria e Brendshme i kaluan në varësi Mbrojtjes.
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, ishte sot në Komandën Mbështetëse në Vaqarr, nga ky bëri të ditur se Amerika jep mbi 6 qind mijë dollarë për pajisje në ndihmë të Emergjencave Civile.
Me këtë fond, do të bëhet e mundur përballimi më i mirë i katastrofave natyrore, e veçanërisht përmbytjeve që prekin vazhdimisht Shqipërinë. Pajisje të ndryshme, kostume zhytësish, si dhe furnizime humanitare janë disa nga ndihmat për Emergjencat.
“Jemi krenarë t’i mbështesim në misionin e tyre për të shpëtuar jetë. Ne besojmë në heroizmin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe jemi krenarë që i mbështesim me misioni e tyre për të shpëtuar jetë brenda dhe jashtë vendit.”, tha kryediplomati amerikan gjatë ceremonisë.
Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se kjo ndihmë do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të ndërhyrjeve operacionale .
"Dua t'i bëj thirrje sot të gjitha bashkive që në buxhetin e tyre të kenë parashikuar një fond dhe një strukturë të posaçme për përballimin e emergjencave siç e parashikon dhe ligji. Çdo neglizhencë në këtë drejtim do të vështirësonte punën e përbashkët dhe do të vështirësonte ndihmën për të gjithë banorët që i kanë sytë nga ne në ditët e tyre më të vështira”, tha Xhaçka.



