Kreu i opozitës, Lulzim Basha shpërndau qëndrimin e kreut të Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, për reformën zgjedhore.
“PD dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur për kontributin tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato janë në interesin më të mirë të Shqipërisë. Kushdo që minon garancitë për standardet zgjedhore nuk do zgjedhje demokratike dhe as integrimin europian të Shqipërisë”.
Basha mbajti këtë qendrim, pasi Rama u tërhoq dhe bllokoi dje në Këshillin Politik konsensusin për identifikimin biometrik në zgjedhje.
Kujtojmë se Reforma Zgjedhore po i afrohet pikës fundore të afatit limit të vendosur për një marrëveshje politike, pa arritur në asnjë konsensus të qenësishëm politik.
Edhe mbledhja e djeshme dështoi t’i pajtojë palët për çështje sensitive, si administrimi i zgjedhjeve, ndërsa data 31 maj, duhej të ishte dita triumfale e një marrëveshjeje politike që do të plotësonte njërin prej kushteve thelbësore të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Mbledhja e Këshillit Politik, të ngritur posaçërisht për arritjen e kësaj reforme, nuk arriti ta gjente gjuhën e përbashkët, pasi opozita vijon të këmbëngulë në kërkesat e saj për garanci në zgjedhjet e ardhshme.
Një qeveri tranzitore që duhet të krijohet 3 muaj para zgjedhjeve dhe një administratë zgjedhore ku partive të mos u hiqet e drejta e përfaqësimit, janë disa prej kërkesave që nuk pranohen nga mazhoranca në pushtet.



