Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë.
Vendimi është marrë me 6 vota pro dhe tre kundër. Me këtë vendim, automatikisht, Dvorani largohet edhe nga drejtimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Mbledhja e sotme u shoqërua me debate, ndërsa relatorja e çështjes Marsela Shehu ka deklaruar se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate cenon dhe vë në rrezik parimet e Kushtetutës.
Ardian Dvorani ka reaguar menjëherë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për ta larguar nga detyra si anëtar i Gjykatës së Lartë, gjë që çon automatikisht në ndërprerjen e mandatit të tij dhe në krye të KED.
Përmes zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, Dvorani e konsideron këtë vendim të KLGJ një gafë të paimagjinueshme dhe bën me dije se do të presë arsyetimin e tij.
“Zoti Dvorani më autorizoi t’ju shpërndaj këto fjalë. Për momentin nuk kam reagim. Juridikisht është një gafë e paimagjinueshme. Por duhet të shikoj çfarë do të katranosin në arsyetim. Reforma e drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj. Votimi ka qene 6 me 4”, deklaroi zëdhënësja e Gjykatës së Lartë.



