
Kandidati i koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit, në listën e hapur, Ilir Alimehmeti ka ankimuar rezultatin, duke kërkuar rinumërimin e votave në Qarkun e Tiranës.
Ndonëse mori mbi 18 mijë vota preferenciale Alimehmeti nuk ia doli të fitonte një mandat deputeti.
Përmes një shkrese dërguar KQZ-së Alimehmeti thotë se bazuar në këqyrjet, rezulton një parregullsi në masën rreth 5% të votave të numëruara në kryeqytet.
Ai kërkon rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë si dhe ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave.
“Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet në kërkesën e tij.



