Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në një konferencë për mediat se qeveria nuk ka bërë asgjë për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura ditët e fundit. Basha tha se kryeministri Rama nuk ka marrë përgjegjësitë që i takojnë për këtë situatë.
“Gjatë ditëve të kaluara kam qenë me disa prej jush në zonat e përmbytura, kemi parë dëmet e mëdha dhe vështirësitë që po kalojnë njerëzit. Edhe sot që flasim, mijëra banorë dhe shtëpitë e tyre janë në ujë. Janë me mungesë të ujit të pijshëm, pa ushqime apo vuajnë për aksesin për të dalë nga shtëpia, s’kanë as medikamente. S’po flas vetëm për zonën e ultësirat. Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, ndonëse në rreth politik, jemi përpjekur që të bëjmë gjithçka”, tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se Rama nuk ka zgjidhur as problemin e strehimit për të prekurit nga tërmeti. Sipas tij, kjo është një tjetër njollë turpi që qeveria merr me vete në ikje pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Nuk ka shqiptarë që s’e kupton se ky neri është problemi i vendit. Ka një zgjidhje të bëhemi bashkë e ta largojmë. Kush është njeriu që 8 vite ka qenë kryeministër, që ka patur të gjitha pushtetet, është në fund të mandatit njerëzit janë deri në brez në ujë. Viti i dytë që i gjen njerëzit në çadra. Ka ardhur koha ta largojmë, të kemi një qeveri të përgjegjshme. Probleme ka e do ketë, detyra e qeverisë është të bëjë gjithçka të ndihmojë njerëzit. E në këtë detyrë, Edi Rama ka dështuar dhe e sotmja ishte një vulë e turpit në ikje që përmbytjet po i kthen në shfajësim për veten e propagandë”, tha ai.



