Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku të shtunën deklaroi se 100 mijë biznese të vogla dhe 500 mijë të punësuar janë në mëshirë të fatit.
Tabaku tha se shifrat zyrtare të FMN-së tregojnë se Shqipëria në mënyrë absolute ka mbështetjen më të vogël për ekonominë reale.
“Sot 100 000 biznese të vogla janë në mëshirë të fatit, sot 500 000 të punësiar në sektorin privat janë në mëshirë të fatit, familjet e ndihmës ekonomike, pensionistët e çdo shtresë sociale sot është harruar. E në vend të mendohet për çdo vend pune, për çdo familje sot vëmendja është te propaganda dhe tek lëmosha”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, Qeveria, ka vendosur në dispozicion të qytetarëve shumë herë më pak para se çdo vend tjetër i rajonit.
Ajo thekson se raportet për vendin janë edhe më të zeza, ku 61% e të punësuarve (sipas një raporti të BB) punojnë në të zezë.
Ish-deputetja demokrate tregon se janë këta qytetarë që nuk do të përfitojnë asgjë nga qeveria, e cila ka menduar që është më me leverdi për ministrat dhe mazhorancën të paguajë disa PPP se sa punëtorët.
“Fondi i përcaktuar nga qeveria nuk mund të ndihmojë shumicën e 173 mijë të vetëpunësuarve, siç raporton BB. Por edhe për ato 30 mijë fatlumët që kanë marrë një pagesë bashkë me bashkëshortët e tyre, ajo pagesë nuk do t’i shërbejë për shumë. Pasi kushtet dhe vlera që shpenzon mesatarisht një familje në vend, sipas INSAT është rreth 50 mijë lekë, një vlerë më e lartë se sa pagesat e qeverisë”, tha Tabaku.
Sipas saj, Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksave në rajon, korrupsionin më të lartë, normën e mbylljes më të lartë në rajon dhe gjithashtu ka mbështetjen më të vogël për punëtorët dhe bizneset.
“Nuk kushton asgjë të bëjmë minimumin atë që po bën Kosova apo vendet e tjera të rajonit, tha ajo, nuk ka pse të jemi gjithmonë të fundit, me 0,8 perqind të PBB-së mbështetje në letër e vetëm 20 përqind e kësaj e realizuar”.
Tabaku tha edhe pse opozita i kërkoi Qeverisë të heqë dorë nga kontratat koncesionare, edhe pse mori ndihma nga FMN dhe së fundi nga BE, përsëri ajo ofroi thërrime për qytetarët.



