Samiti i NATO-s /Bushati: Mposhtja e terrorizmit dhe parandalimi i faktorëve ideorë, sfidë për vendet tona dhe stabilitetin e rajonit

Samiti i NATO-s /Bushati: Mposhtja e terrorizmit dhe parandalimi i faktorëve ideorë, sfidë për vendet tona dhe stabilitetin e rajonit

Samit i NATO-s u karakterizua kryesisht nga diskutimet e hapura dhe të drejtpërdrejta mbi domosdoshmërinë për të përmbushur vendimin e marrë në Samitin e Uellsit të katër viteve më parë, ku aleatët u zotuan që deri në vitin 2024 do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto.

Për t’iu përgjigjur në mënyrë adeguate kërcënimeve e sfidave serioze e komplekse të sigurisë, si nga Lindja, ashtu dhe nga Jugu, Aleanca mori vendime të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kolektive dhe të shkurajimit, si dhe projektimin e stabilitetit dhe luftën kundër terrorizmit në hapësirën euro-atlantike dhe rreth saj.

Samiti i kushtoi rëndësi të posaçme mbështetjes dhe ndihmës ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, për aftësimin e tyre në përballimin e sfidave aktuale të sigurisë. Vendet aleate miratuan inicimin e Misionit të ri stërvitor jo-luftarak të NATO-s në Irak dhe vendosën paketat e reja të ndihmës për Jordaninë dhe Tunizinë.

Në kontekstin e Samitit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e veçantë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mposhtja e terrorizmit në të gjitha format e tij, duke u përqendruar në parandalim dhe në adresim të faktorëvve ideorë mbetet një objektiv kyç për të gjitha vendet tona dhe një sfidë për stabilitetin e rajonit”, vuri në pah, ministri Bushati.

Në Samit u rikonfirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, si dhe e peshës në rritje të Shqipërisë, e shprehur si nëpërmjet shumëfishimit të kontributeve për operacionet e NATO-s, ashtu dhe politikisht, në vendimmarrje dhe në politikë-bërjen e Aleancës, sidomos në kontekstin e rajonit dhe Politikës së Dyerve të Hapura.

Në emër të Aleancës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dorëzoi Kryeministrit Zoran Zaev ftesën zyrtare për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, në vijim të arritjes të pak kohëve më parë së marrëveshjes për emrin mes Shkupit dhe Athinës.

Samiti rikonfirmoi vijimin e angazhimit të NATO-s në Afganistan lidhur me trajnimin, këshillimin dhe asistencën për Forcat Kombëtare Afgane të Sigurisë (ushtri dhe polici), përfshirë edhe angazhimin financiar të vendeve pjesëmarrëse në Misionin “Resolute Support”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy