Ish-deputeti i PD Fatbardh Kadilli në një lidhje me skype nga Kenia komentoi në emisionin “Zonë e Lirë” veprimtarinë e USAID-it në botë dhe Shqipëri. Kadilli tha se po të shohësh thirrjet për projekte kritere kanë qenë gjithmonë diversiteti, barazia gjinore, dhe jo meritokracia. Kadilli tha se ka patur një deviacion të madh ideologjik, që ka sjellë avancimin e axhendave të ekstremit të majtë.
“Këta që keni në listë s’janë punonjës të USAID. Këta janë kontraktorë. Duke marrë para për të bërë diçka, kanë vendosur rroga të larta për veten e tyre. Por këta s’preken menjëherë. Ata që preken janë punonjës amerikanë apo shqiptarë që punojnë për USAID-in në Shqipëri, që s’kanë rroga në këto nivele.
Qeveria amerikane ka dhënë një ofertë për shumë struktura amerikane, që të marrin një pagesë 8 mujore dhe të largohen nga puna. Problemi më i madh me USAID-in që unë kam përjetuar nga jashtë është që këto gjithnjë e më tepër sillen si organizatë bamirësie. Po jap një shembull të një vendi në Afrikë.
Meqë aty u miratua një ligj kundër homoseksualëve, USAID ndërpreu fondet, dhe krijoi një vakum për një vit. Në një vend shumë të madh të Afrikës tërhoqën ambasadën. Interesi amerikan është halli i disa homoseksualëve?! Interesi amerikan është gjeopolitik dhe ekonomik. Nëse ti këto i hedh në erë për një çështje të të drejtave të njeriut...Vërtet ka qenë soft power USAID-i, ku Amerika ka eksportuar modelin e vet.
Por ke eksportuar gjithë këtë model, dhe pastaj e hedh në erë?! Shihni të gjitha thirrjet për projekte! Një mike e imja në Tiranë me coi një projekt, dhe po shikoja thirrjet për propozim, s’ishte nga USAID-i. Kriteret ishin diversiteti, përfshirje, barazia gjinore, jo meritokraci, disa çështje për të cilat unë si i djathtë kam refuzim të madh. Shikojini të gjitha thirrjet për propozime, për projekte. Ky është deviacion i madh ideologjik. Kjo ka avancuar axhenda të ekstremit të majtë".



