Gjykata e Lartë ka nisur punën për rishikimin e vendimit unifikues mbi masën e sigurimit “arrest me burg”, një hap që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në praktikën gjyqësore shqiptare dhe në mënyrën sesi gjykatat vendosin për paraburgimin.
Në studion e ‘MCN Live’, avokati Ervin Karanxha e cilësoi këtë zhvillim si pozitiv, por theksoi se efekti real do të matet vetëm nga mënyra sesi do të zbatohet në praktikë për të gjithë qytetarët, pa dallime politike apo ekonomike.
Sipas Karanxhës, vendimi duhet të respektojë frymën e Kushtetutës dhe parimin e barazisë para ligjit.
Diçka pozitive, por do të jetë pozitive vetëm nëse zbatimi i tij është konform nenit 80 të Kushtetutës, që të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit. Mos të jetë vetëm për ata që janë me pushtet, por edhe për qytetarët e thjeshtë që sot dergjen burgjeve.
Ai tha se në burgjet shqiptare ndodhen shumë të rinj për vepra penale ordinere dhe se vendimi i Gjykatës së Lartë mund të krijojë bazë për zëvendësimin e masave të sigurimit në raste të caktuara.
Karanxha nënvizoi se gjykatat duhet të vlerësojnë jo vetëm rrezikshmërinë e veprës penale, por edhe rrezikshmërinë e autorit dhe rrethanat konkrete të secilit rast.
Ky vendim është pozitiv, sepse thotë se duhet parë vepra, por edhe rrezikshmëria e autorit. Kur paraqiten dokumente dhe të dhëna dhe gjykata çmon që masa mund të zëvendësohet, atëherë ka vend për zëvendësim.
Avokati solli në vëmendje edhe rastet që, sipas tij, kanë çuar në mbipopullimin e paraburgimeve në Shqipëri, duke përmendur arrestime për vepra të lehta penale.
Në praktikë ka raste ordinere, për një kapak pusete, për një biçikletë apo për blerje të simuluar droge, njerëzit shpallen në kërkim dhe burgjet janë mbushur plot.
Ai shtoi se Shqipëria është kritikuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe organizmat ndërkombëtarë për përdorimin e tepruar të masës “arrest në burg”.
Sipas avokatit, masa e sigurimit nuk duhet të trajtohet si masë dënimi, ndërsa apeloi për procedura më liberale dhe ndërhyrje ligjore që do të mundësonin alternativa si garancia pasurore.
Në përfundim, Karanxha insistoi se standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët.
Drejtësia nuk duhet të funksionojë vetëm për ata që janë të fortë apo afër pushtetit. Duhet edhe për fukarenjtë. Drejtësia duhet të fillojë nga fukarenjtë.



