Ka dështuar për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës.
Për të katërtën herë kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 57 vota.

Emri i saj është hedhur në votim pas propozimit që ka bërë deputeti Glauk Konjufca.
“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ju kërkoj mirëkuptimin tuaj që ta zhbllokojmë situatën në të cilën kemi mbetur”, është shprehur Konjufca para procesit të votimit.
Seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orësh.
Pas dështimit të katërt radhazi të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për një bllokadë të qëllimshme të procesit politik.
Ai tha se, nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja e vetme do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në muajin maj të këtij viti.
Në tri votimet e mëhershme, Haxhiu mori vetëm 57 vota. Për të kaluar suksesshëm votimi, Haxhiut i nevojiten më së paku 61 vota.



