
Në shënim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës.
PSD ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që t’i largojë nga partia deputetët konservatorë.
“Kryeministër kryej punët e shtëpisë! Largoj konservatorët prej partisë!”, ka qenë parulla që aktivistët e PSD-së e kanë shkruar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ky aksion simbolik i PSD-së vjen pasi që disa deputetë të VV-së po refuzojnë që ta votojnë ligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Sipas kryetarit te PSD-së, Dardan Molliqaj, dorëzimi para konservatorismit nuk tregon për forcën e grupeve të tilla, “por kalkulim të qeverisë përmes partisë”.
“Diversiteti është kthyer në alibi për bashkekzistencë të të kundërtave, brenda të njëjtit subjekt. Ata i thonë demokraci, por në të vërtetë paraqet koalicion me konservatorizmin dhe patriarkalizmin. E si mund të pritet ndryshe nga një model i politikanit që udhëheq përmes figurës së njëshit?”, shtoi.
Ankesat se si nuk po ju dëgjojnë deputetët, për Molliqajn, “nuk janë bindëse nëse jeni të heshtur para tyre”.
“Për më tepër që ne e dimë disiplinën brenda partisë tuaj kur prekën kornizat politike. Apo mbase kjo është shenjë se si mbështjellësi politik e ideologjik i juaji ka material konservator tashmë, dhe ruajtja e asaj çfarë keni arritur është synimi, përtej kauzave”.
Propozimi i ligjeve, shtoi ai, “por braktisja e debatit publik për ato, na lë ta kuptojmë se ju po rriteni duke mirëmbajtur dhe shpesh ushqyer rryma të dëmshme për shoqërinë dhe gratë në veçanti”.



