
Deputetja Rudina Hajdari ka përshëndetur vendimin e opozitës për t’u rikthyer në tryezën e Reformës Zgjedhore. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, bashkë kryetarja e Reformës Hajdari shkruan se duhet të gjendet një konsensus për ndryshimin e sistemit zgjedhore.
“E vlerësoj faktin që Lulzim Basha u shpreh i gatshëm për përfundimin e reformës zgjedhore. Është gjë pozitive që ai kthehet në KP, por gjithashtu duhet të pranojmë gjetjen e konsensusit mbi çështjen e ndryshimit të sistemit, në mënyrë që të arrijmë rezultate nga kjo tryezë,”-shkruan ajo.
Kjo deklaratë vjen pas vendimit të bërë publik nga Lulzim Basha për rikthimin e opozitës në tryezën e Reformës Zgjedhore. Vendimin Basha e bëri publik pas një takimi me ekspertët e PD, ku deklaroi se opozita do të rikthehet në tryezën e bisedimeve për të përfunduar procesin. Ai tha se opozita nuk e ka braktisur asnjëherë këtë proces, pasi është e vendosur që t’i japin qytetarëve të drejtën e votës në zgjedhje të lira dhe të ndershme.



