
Në seancën e sotme plenare në Kuvend, do të diskutohet pr.vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Ndonëse pr.vendimi për ngritjen e Komisionit është futur në rendin e ditës, opozita ka paralajmëruar se është skeptike sa i takon kësaj pike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij për mediat para nisjes së seancës së sotme në Kuvend, u shpreh se kjo është një manovër elektorale e kryeministrit Rama.
Basha tha se PD nuk bëhet pjesë e lojërave të Ramës, duke thënë se s’kanë vullnet për të luftuar korrupsionin, ndërsa theksoi se Kuvendi duhet të shikojë amendamentet e PD.

Nëse duan të mbështesin SPAK-un, të shikojnë amendamentet e PD. Sot shqiptarët meritojnë një përgjigje; pse Edi Rama, kjo qeveri mban të bllokuar në Kuvendin e Shqipërisë propozimet e PD. Përgjigja është e qartë; ndryshe nga ç’thotë kjo maxhorancë nuk ka interes që të ndihmojë financiarisht dhe nga pikëpamja ligjore strukturat ligjore.
S’ka arsye për SPAK-un që të ekzistonte nëse s’do të kishim korrupsion. Ai lindi si nevojë për shkak të korrupsionit. Që mos të duket se si opozitë jemi në rrafshin e denoncimit, kemi bërë një propozim dhe ulemi dhe flasim.
Jemi gati që të bashkojmë votat me PS për të votuar këto amendamente për SPAK-un. A ka akt më kuptimplotë para shqiptarëve që parlamentarët të dorëzojnë imunitetin dhe të jenë të barabartë para ligjit. Amnistia penale u mbajt në sirtar për 3 muaj derisa bashkuan votat për të nxjerrë të dënuarit për korrupsion.



