Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me dymijë euro nga Komuna e Prishtinës, për shkelje të rregullave kundër pandemisë COVID-19, ka bërë të ditur drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili ka thënë se shkelja ka të bëjë me tubimet elektorale, të organizuara në Prishtinë.
“Iu bëjmë thirrje subjekteve politike që t’i respektojnë ligjet dhe vendimet që vetë i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive për secilin tubim në Prishtinë”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.
Pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë po mbajnë tubime zgjedhore, ndonëse fushata për zgjedhjet e parakohshme do të nisë zyrtarisht më 3 shkurt.
Me masat e fundit të miratuara nga Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga vet LDK, ndalohen grumbullimet e më shumë se katër qytetarëve në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme.
Në Kosovë, në bazë të Ligjit për parandalimin e pandemisë COVID-19, dënimet për shkeljen e tij janë nga 35 deri në 2,000 euro.




