
Nga Elbasani ku mori pjesë në ceremonin e nderimit të dëshmorëve me rastin e 5 Majit, kryetari i Grupit parlamentar Socialist Taulant Balla komentoi edhe deklaratat e opozitës për të mos njohur zgjedhjet e 25 Prillit.
Balla tha se gjatë këtij mandati të ri qeveria do të ketë një qasje të re me opozitën pasi edhe kjo e fundit ka një rol të rendësishëm për çuarjen përpara të reformave.
“Sot nga Elbasani dua të falënderoj të gjithë familjet e dëshmorëve përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të luftës, punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në përpjekjen me krimin dhe këtu në Elbasan kemi një sërë punonjës policie që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës.
Sot është dita e dëshmorëve dhe nuk është dita të merremi me opozitën, ajo që tha Rama është se gjatë këtij mandati të ri do kemi një qasje tjetër me opozitën dhe do të punojmë sa më shumë për punët e rëndësishme që na presin dhe opozita ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në shumë reforma të rëndësishme që duhet të çojmë përpara dhe kontributi i tyre në Kuvend është i mirëseardhur”, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët lidhur me nismën e shkarkimit të Presidentit, Balla u shpreh se ky proces do të shkojë deri në fund. “Të jeni të sigurt se ne këtë proces do ta çojmë deri në fund”, shtoi ai.



