
Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se deri në orën 11:00, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale është 8.24 përqind.
“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga rreth 98% e vendvotimeve, numri qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 8.2% apo rreth 152 mijë votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues”, ka thënë Radoniqi.
Sipas tij, deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishin votuar 195 mijë e 473 votues apo 10.34 përqind e votuesve.
Përqindja më e madhe është Komunat e Veriut ku në Mitrovicën e Veriut me 30.96%, ose 5 mijë 486 votues, pastaj Zveçani me 29.42 përqind, Leposaviçi me 20.49 përqind, ndërsa në Novobërdë kanë votuar 15.74 përqind.
Organizata Demokracia në Veprim (DnV), përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në mesditë është e ulët ,në përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është tri herë më e lartë krahasuar në komunat tjera.
Sipas, DnV, deri më tani është raportuar për nivel të kënaqshëm të respektimit të masave anti-COVID-19 nga ana e komisionerëve 73% dhe qytetarëve që po frekuentojnë qendrat e votimit është 71%.
“Vështirësitë në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve janë të shprehura edhe në këto zgjedhje. Deri në këtë kohë, në më shumë se 1/3-tën e vendvotimeve në nivel vendi është raportuar për 1 deri në 10 raste kur qytetarët nuk e kanë gjetur emrin në Listën e Votuesve”.
Ndërsa sa i përket votimit me asistencë, ky fenomen është hasur në rreth 73% të vendvotimeve, por numri i rasteve sillet brenda trendeve normale (1-10 raste). Deri më tani është raportuar raste të asistencës së palejuar.



