Pas përfundimit të mbledhjes se Këshillit të Ministrave, ministrja Mirela Kumbaro tha se një nga vendimet e qeverisë ishte edhe miratimi i amendimit për zhurmat në mjedis.
Kumbaro shpjegoi se bashkitë duhet të përcaktojnë, zonat e banuara në të cilat nuk do lejohet asnjë lloj aktiviteti me zë të lartë pas orës 00:00, si edhe zonat në të cilat do lejohet muzika pas orës 00:00.
Ministrja tha se monitorimi i këtyre bizneseve do të jetë përgjegjësi direkte e policisë bashkiake dhe sipas saj kështu i jepet fund hedhjes së përgjegjësisë nga një institucion tek një tjetër.
Miratuam amendimet për zhurmat në mjedis. Edhe një vit më parë, një nga gjërat që kishim më shumë problem ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së lartë në lokale e restorante. I dhamë zgjidhje dhe bëmë amendimin në ligjin për zhurmat. Do e miratojmë në Kuvend, do të kemi fashë orare më të kufizuar dhe një pjesë të Policisë së Shtetit që do të kontrollojë ndotjen akustike dhe oraret. Me hyrje në fuqi të këtij ligji, bashkitë do të përcaktojnë hartën e zhurmave, që do të thotë, do të caktohen zonat që duhet të jenë të qeta dhe ato ku mund të zhvillohen aktivitete. Kjo i jep zgjidhje topit që hidhej sa tek mjedisi, sa tek policia e tek shëndetësia. Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës dhe në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia. Më pas, në përputhje me hartën, policia do të penalizojë subjektet që nuk respektojnë normat. Ligji do të vazhdojë rrugëtimin në Parlament. Jemi munduar të respektojmë dhe hapësirat për jetën e natës.
Ky amendim i ligjit vjen pak para nisjes së sezonit dhe është bërë me qëllim që të ulet niveli i ndotjes akustike në zonat turistike dhe ndarjen e kompetencave mes institucioneve, se cili do të ketë përgjegjësinë për monitorimin e nivelit të ndotjes në përputhje me parametrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky ligj do të kalojë në Kuvend për miratim javët në vijim dhe më pas do të detyrojë të gjitha bashkitë që të përcaktojnë hartën e zhurmave.



