Kryeministri Edi Rama shkruan sot në statusin e tij Fecebook, në rubrikën AMARCORD, se 29 nëntori është dita kur, falë haraçit të gjakut të derdhur për liri dhe jo zigzageve të diplomacisë së salloneve, Shqipëria u shfaq më shumë se kurrë më parë sovrane dhe e respektuar mes popujve të tjerë të botës së lirë.
Në vijim, Kryeministri Rama pohon se: “Kurrë më parë, lufta e popullit shqiptar nuk ishte njohur, vlerësuar, admiruar dhe ndihmuar nga aleatët, më shumë se gjatë përleshjes për jetë a vdekje me rendin totalitar nazi-fashist, e cila i kushtoi vendit 28 mijë jetë.Ëndrra e atyre djemve e vajzave, burrave e grave që përkujtojmë sot, ishte të shihnin flamurin tonë të valëvitej i lirë, në krah të flamujve garantues të paqes dhe të demokracise së një rendi botëror më të drejtë e më njerezor”.
“Ndonëse utopia partizane që e çoi Shqipërinë në stacionin e lirisë, e ktheu më pas Shqipërinë në ferr për lirinë, ata që luftuan me vetmohim, për një të ardhme të denjë për tu jetuar, e kryen plotësisht misionin e tyre kombëtar. Falë tyre ne ishim në anën e duhur të Historisë dhe ballëlartë për atë moment të lavdishëm, edhe në përpjekjen e madhe për t’u integruar në familjen tonë natyrale, atë europiane. I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve dhe mirënjohje veteranëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!”, shkruan Rama.



