
Duke iu referuar politikës që bëhet në Shqipëri, analisti Artur Zheji u shpreh se votat e partive të vogla i shkojnë partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Zheji shtoi se partitë e reja janë energji e harxhuar kot dhe dëmtuan opozitën.
“Unë i kam simpatizuar grupimet e reja dhe kam qenë pozitiv ndaj tyre, por siç është politika në Shqipëri këta janë vota që shkojnë në favor të Ramës. Të Topallit, të gjitha votat që nuk shkuan brenda frontit. Kemi dy shembuj të mëdhenj që kanë sistemin bipartiake, si Britania dhe Amerika. Ata kanë zgjedhur të jenë bardhë e zi. Në Shqipëri me kaq banorë sa kemi ne duhet të gjendet një formulë. Mendoj se është energji e harxhuar. Topalli dëmtoi opozitën dhe dha dorëheqjen. Sistemi është ndërtuar i tillë që në 2008-ën. U bë ndryshimi i kushtetutës dhe këta nuk e ndryshojnë më. Ju thuhet do krijoni alibinë e demokracisë por nuk do ta sillni dot demokracinë. Nuk e mundin dot sistemin partitë e vogla”, tha Zheji.



