Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për videon dhe fotot e publikuara në rrjetet sociale ku shfaqej kabineti qeverisës, duke ngrënë një darkë në një nga restorantet më të shtrenjta të Dubait. Kjo në një kohë kur përfaqësues të qeverisë kanë shkuar atje për punë dhe sipas pretendimit të kryeministrit për të thithur investime.
Rama reagimin e tij e bëri si përgjigjje ndaj një personi që kishte komentuar në ‘facebook-un’ e tij, të cilit i thotë se darka është paguar nga mikpritësit.
“Mos u mbyt në portalet e atyre që vetëm hedhin helm, po informohu dhe do ta mësosh që në Dubai ka shkuar një grup i madh me përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor, mediave, me ftesë nga pala pritëse dhe s’kanë shkuar për karkaleca po për të sjellë investime në Shqipëri, ndërkohë që tërë shpenzimet mbulohen prej mikpritësve, kështu që kjo që thua s’ka asnjë lidhje, ndërsa lokalin e vogël nuk besoj të ta mbyllë qeveria, se qeveria nuk mbyll lokale dhe ty nuk të ka lënë jetim, sepse kush ka lokal të vogël i jane hequr taksat e qeverisë dhe i janë bërë ZERO!”-shkruan Rama.



