Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Taulant Balla, u takua të mërkurën me përfaqësues të partive të vogla për të diskutuar rreth propozimeve të tyre për kete reformë.
Pas takimit, Balla tha se është njohur me keto propozime, por për to duhet edhe konsensusi i Partisë Demokratike, shtoi ai.
“Patëm një bisedë shumë konstruktive. Ata mbështesin tërësisht propozimin tonë për të garantuar votën e qytetarëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht deklaratave se jemi të vonuar, mundësia për t’u dhënë shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të vendit, votën, është e mundur. Database i shqiptarëve që janë jashtë territorit, por që janë rezident në vendet ku jetojnë është i gatshëm”, tha Balla.
Çështja tjetër e diskutuar në tryezë ishte depolitizimi i komisioneve të qendrave të votimit dhe KZAZ-ve. Partitë e vogla e mbështetën këtë propozim, tha ai, që konsiderohet një hap drejt një procesi të paanshëm të administrimit zgjedhor. Për çështjen tjetër të korrektimit, kjo ka të bëjë edhe me ndryshime në Kushtetutë. Në vlerësimin tonë nuk ka ardhur ende momenti për të bërë një rishikim të sistemit zgjedhor. Duhet të kalojnë më shumë se tre proçese zgjedhore për të vlerësuar mundësinë e një rishikimi të mënyrës së shpërndarjes së mandateve, apo e thënë më qartë për një korrektim të mënyrës së shpërndarjes së mandateve”, tha bashkëkryetari i komisionit te posacem per reformen zgjedhore.
I pyetur nga gazetaret, për vazhdimesine e aleances mes Partise Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Balla, njëkohësisht nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së, pohoi gadishmërinë për vijimin e bashkëpunimit edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“E kemi thënë qartë se ne duam ta vazhdojmë Aleancën tonë për Shqipërinë Europiane. Jemi të gatshëm, që në interes të qytetarëve, ta vazhdojmë edhe në 2017-n dhe do të vazhdojmë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse PS do të bashkëpunojë me “Libra”, partia më e re në vend, e shpallur dje nga ish-deputeti i PS-së, Ben Blushi, Balla u përgjigj shkurt: “spektri politik është i madh, ka parti dhe partiza”.



