
Disa deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë kundër vendimit të kryedemokratit Sali Berisha për bojkotin e komisioneve parlamentare.
Gazetari Mariglen Kume, duke folur për “MCN Live”, bën me dije se Partia Demokratike ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale.
Sipas Kumes, vendimi është marrë pas një mbledhjeje të grupit parlamentar demokrat, ku të gjithë deputetët që morën fjalën kërkuan që opozita të jetë pjesë aktive e reformës territoriale dhe asaj zgjedhore, duke mos e lënë procesin vetëm në duart e mazhorancës.
Një nga pikat që pritet të nxisë debat dhe tension është diskutimi për ndryshimet në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Socialistët kërkojnë ndryshimin e formulës së përbërjes së komisionit, duke kaluar nga ndarja 50 me 50, në një përbërje me 9 anëtarë nga mazhoranca dhe 8 nga opozita. Po ashtu, nga modeli me dy bashkëkryetarë, pritet që kryetari të jetë nga PS, ndërsa opozita të ketë një nënkryetar.
Sipas mazhorancës, këto ndryshime synojnë vijimin normal të punës së komisionit. Pas bojkotit të djeshëm të opozitës në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, socialistët bënë të ditur se nuk do të tërhiqen nga kërkesa, e cila pritet të shqyrtohet sot në seancën plenare të Kuvendit.
Çështja e reformës territoriale pritet të jetë një nga temat kryesore të seancës së sotme, veçanërisht pas kundërshtimeve të brendshme në radhët e PD-së.
Mësohet se 9 deputetë demokratë kanë kërkuar zyrtarisht pjesëmarrjen në komisionet për reformat zgjedhore dhe territoriale.
Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar për mediat pas mbledhjes me dyer të mbyllura se PD nuk do të bojkotojë Komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore.
Diskutimet pritet të jenë të nxehta që në nisje të seancës parlamentare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do të vijojë deri në fund me ndryshimet e propozuara për përbërjen e komisionit.



