
Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka bën me dije se nuk do të garojë për kryetar bashkie në Durrës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ai thotë se do të mbështesë kandidaturën e kandidatit demokrat Igli Cara.
POSTIMI
Nuk do të garoj në Durrës, do të mbështes kandidaturën e Igli Carës!
Të dashur qytetarë të Durrësit!
Përmes këtij postimi dua të ndaj me ju një vendim.
Më njoftuan nga dega lokale e PD-së në këtë qytet se në disa njësi, anëtarësia e kësaj partie më ka propozuar si kandidat për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake, për kandidatin për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i opozitës.
Ndjej të falenderoj çdo qytetar durrsak, që është pjesë e Partisë Demokratike, dhe që ka propozuar që unë të jem në këtë garë. E vlerësoj maksimalisht dhe, me zemër do të doja ti përfaqësoja ata dhe shumë të tjerë në këtë garë, me dëshirën e madhe për të bërë më të mirën për qytetin dhe fshatrat e Durrësit.
Por, duke qenë kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar ti përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare.
Unë i premtoj çdo demokrati dhe çdo qytetari durrsak, se kontributi im do të jetë, si përherë, për qytetin dhe qytetarët e kësaj bashkie.
Unë përsonalisht dhe PAA me strukturat e saj, do të mbështesim zyrtarisht kandidatin demokrat Igli Cara, me bindjen e plotë se ai është njeriu që i duhet bashkisë së Durrësit dhe qytetarëve të Durrësit.
Edhe njeherë, falendroj ata që më kanë propozuar dhe i siguroj se do të jemi bashkë në të njëjtin front, për të bërë më të mirën për qytetin tonë.
Me respekt
Agron Duka



