
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së sotme do të jetë në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të informojë ministrat e jashtëm të BE-së për raundin e fundit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbajt më 15 qershor në Bruksel.
Përveç dialogut në agjendën e Këshillit të BE-së do të diskutohen edhe pika të ndryshme.
Diskutimi i marrëdhënieve Turqi- Rusi, situata në Liban, procesi i paqes në Lindjen e Mesme, do të jenë disa nga temat që do të diskutohen.
Me 15 qershor të këtij viti Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte takuar me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi në fjalë ishte takimi i parë zyrtar në mes të Kurtit dhe Vuçiçit, i cili u ndërmjetësua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndërsa takimi i radhës ndërmjet Kurti-Vuçiç pritet të mbahet para pushimit të verës i cili nis me 25 korrik.



