Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një komunikimi të premten me gazetarët,
tha se shoqëria civile i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për të verifikuar zbatimin me korrektësi ekstreme të ligjit të mbetjeve.
Një ditë para protestës së paralajmëruar të shoqërisë civile kundër këtij ligji, i miratuar nga maxhoranca më 22 shtator në Kuvend, kryetari Meta iu referua edhe amendamentit të propozuar nga LSI për ligjin në fjalë, i cili, sipas tij, ka për qëllim pikërisht, monitorimin e zbatimit të këtij ligji mjaft sensitiv.
“Sot i kërkova sërish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani që ky detyrim ligjor, të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera konkrete që realizojnë plotësisht monitorimin qind për qind nga shoqëria civile të zbatimit të ligjit për importin e mbetjeve.
Ne e respektojmë shqetësimin e shoqërisë civile dhe kjo është arsyeja pse grupi i LSI-së paraqiti dhe është mbështetur nga shumica dhe nga ministria e Drejtësisë dhe e Mjedisit për të krijuar të gjitha hapësirat që ky ligj të bëhet 100% praktik.
I pyetur për zgjedhjet e parakohshme për kryetar Bashkie në Kolonjë (pas ndarjes së papritur nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo), Meta u përgjigj se këtë do t’ia lërë në dorë koalicionit të majtë dhe se nuk do të dalë me kandidat më vete.
“Për ne, aq më tepër për mua personalisht kjo nuk ka rëndësi. Kjo ka qenë një humbje e parakohshme dhe e pamerituar, kështu që nuk kam as në mend të merrem me kandidatët apo kandidatet për këtë çështje, por do të ndjek edhe unë dhe kolegët e tjerë disa nga projektet që ai i nisi me shumë përkushtim e dashuri për Kolonjën. Jam i bindur, se koalicioni do të gjejë kandidatë sa më të mirë, por unë e kam të vështirë të gjej kandidatë në nivelin e tij. Dhe këto janë zgjedhje krejtësisht lokale, të një lloji aksidental”, deklaroi kreu i Kuvendit.



