Autobusët e linjave ndërkombëtare do të vendosen në terminalin e ri të ndërtuar në sheshin pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Bashkia e Tiranës ka rehabilituar të gjithë hapësirën përreth zonës, duke e kthyer atë nga një mjedis me papastërti, në një hapësirë që do të shërbejë si parking dhe si terminal i përkohshëm për të gjitha automjetet e transportit të udhëtarëve me jashtë vendit.
Gjatë përurimit të këtij inugurimi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në terma afatgjatë do të ndërtohen terminale sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare për një udhëtim normal të qytetarëve.
“Në afatgjatë jemi duke ndërtuar terminalin autobusëve në kthesën e Kamzës. Pas ndërtimit të terminalit do të kemi mundësinë që të zhvendoset përgjithmonë transporti interurban në kthesën e Kamzës, për t’u siguruar që ata që hyjnë në Tiranë kanë vetëm akses në punët e qytetit, por pa shtuar mijëra e mijëra autobusë dhe pasagjerë, që në fakt pengojnë shumë trafikun në qytet. Kështu funksionon në çdo vend të zhvilluar”, tha Veliaj.



