
Pano Soko nga Nisma Thurje, i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN tv, foli për përgatitjet e partisë së tyre në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Ai u shpreh se po punohet në një program me tre pika me interes për shoqërinë.
Ne jemi në fazën e përgatitjes së programit. Dy janë elementët, një është programi dhe dy, organizimi strukturor.
Një program që do të shtrihet në lufta ndaj korrupsionit, shanset e barabartë dhe heqja e monopoleve dhe një Shqipëri e aksesueshme për të gjithë që të jetojnë jo në varfëri.
Sot që flasim jemi në nivel organizimi dhe do të fillojmë daljet publike me të gjitha strukturat tona në bazë.
Ne kemi shprehur besimin tonë në SPAK, sepse kemi dashur të besojmë se një drejtësi e re do të na mundësojë një garë të barabartë.
Nga ana tjetër, Soko, duke analizuar punën e deritanishme të SPAK në raport me zgjedhjet në vend, tha se SPAK nuk ka bërë punën e duhur për të vendosur drejtësinë në sigurimin e një gare të barabartë për partitë politike.
Unë mendoj se SPAK duke mos bërë punën e vet ka ndërhyrë në zgjedhje. Këto janë zgjedhjet e treta që unë marr pjesë dhe në dy zgjedhjet e kaluara neve na është dashur të përballemi me ca njerëz që tani del se paskan pasur para që ua kanë vjedhur xhepave të qytetarëve.
Natyrisht kjo është një garë e pabarabartë e cila është mundësuar pikërisht nga ajo drejtësi që nuk ndërhynte.
Unë do doja që SPAK të ndërhynte për të vendosur drejtësinë në një garë që pretendohet të jetë e barabartë me njëri-tjetrin.



