
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Romë mes Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe homologut të tij italian, Guido Crosetto.
Dy ministrat diskutuan për mënyrat e zgjerimit të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të të dy vendeve, me theks të veçantë te rritja e ndërveprueshmërisë, shkëmbimi i eksperiencave dhe krijimi i mundësive të reja në industrinë e mbrojtjes.
Gjatë takimit, Nufi vlerësoi rolin e Italisë si një partner strategjik për Shqipërinë dhe një aleat të rëndësishëm brenda NATO-s, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit mes dy vendeve për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe situata e sigurisë në rajon dhe roli i vendeve aleate në ruajtjen e stabilitetit. Shqipëria dhe Italia riafirmuan angazhimin e tyre për një Ballkan Perëndimor më të sigurt, mbështetjen e misioneve ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, si dhe forcimin e kapaciteteve të NATO-s përballë kërcënimeve të reja.
Takimi në kryeqytetin italian konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe për të vijuar bashkëpunimin në kuadër të angazhimeve euroatlantike.



