
Deputetët e Partisë Demokratike Endri Hasa, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu kanë shkuar sot në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ne mbështetje të protestuesve që u ndaluan nga Policia.
Deputeti demokratë Salianji, apeloi prokurorinë të lirojë 6 protestuesit që morën pjesë në protestën e një dite më parë të opozitës dhe që vijojnë të qëndrojnë në qelinë e izolimit. Sipas tij, protestuesit po mbahen në paligjshmëri.
"I bëj thirrje prokurorisë, çdo prokuror që i ka shkuar çështja e këtyre qytetarëve të bëjë lirimin e menjëhershëm të tyre dhe të mos bëhet pjesë e paligjshmërisë së akteve që ka ndërmarrë policia e shtetit. Ne do të jemi këtu derisa këta qytetarë të lirë të cilët protestojnë edhe për shkak të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike, edhe për shkak të situatës së keqe në të cilën Edi Rama ka futur vendin shkojnë dhe përfundojnë në qelitë e izolimit ndërkohë që Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Ilir Beqaj, Qazim Sejdini dhe qindra zyrtarë të tjerë të korruptuar të kësaj qeverie me Edi Ramën në krye sillen sikur të jenë pronarë të Shqipërisë", tha Salianji.
Policia ka arrestuar protestues të cilët morën pjesë në protestën e Partisë Demokratike që u zhvillua para Kuvendit duke kundërshtuar zgjedhjen e kryeprokurorit vetëm me votat e maxhorancës.



