
Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve tha se ka një histori të thellë që lidh dy popujt tanë.
Ai deklaroi se kapitulli më i njohur është holokausti, kur Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur njëzet fish.
Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës- fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose familjes dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi.
Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë.
Rama shtoi se është plotësisht i ndërgjegjshëm se nuk është e lehtë të zhvillosh një takim të tillë në sfondin e dhimbjes dhe vuajtjes që sulmi masiv i 7 tetorit i solli popullit të Izraelit, por edhe dhimbjen e vuajtjen e pamasë që lufta në Gaza po iu shkakton shumë palestinezëve të pafajshëm.
Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne që të mos jemi të bashkuar për ta përkufizuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët.
Të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm kërkesë për diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke njohur terroristët si homologë legjitimë që duhen zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur.
Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori, por nuk duhet të kenë kurrë fitore kundër njerëzimit tonë të përbashkët.
Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote.
Pra, ajo që u duhet thënë shumë prej atyre që e quajnë Gazën burg në ajër të pastër është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.
Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur e cila, në vend të kërkonte shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të tij përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thoja se Izraeli është gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe.
Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza, e kam të pamundur t’i jap edhe fijen e mundësisë për t’i besuar Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet, në luftën kundër të cilit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa gjej në luftën e ISIS-it apo të nazizmit kundër njerëzimit.
Për fat të keq, asnjë nuk ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa forcë dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.
Rama shtoi se Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin.



