Analisti Mustafa Nano dha në edicionin e lajmeve në MCN TV se mbetet problem që s’kemi pasur në 12 vite një vizitë shtetërore të Ramës në Athinë, si dhe të një kryeministri grek në Tiranë.
“Mbetet një problem fakti që, që nga momenti që Edi Rama ka ardhur në pushtet s’kemi një vizitë zyrtare shtetërore të Edi Ramës në Athinë dhe s’kemi një vizitë shtetërore të një kryeministri grek në Tiranë, është periudha më e varfër, më e shkretë, dhe është periudhë e gjatë. Janë 12 vjet qëkurse s’ka shkelur një kryeministër në mënyrë zyrtare në Tiranë, dhe e anasjellta. Nuk e di kur do shkelin”.
Duke folur për marrëdhënien Tiranë-Athinë që në disa raste ka qenë e tensionuar, Nano thotë që faji është te të dyja palët.
“Është një marrëdhënie tradicionale të paktën që nga vitet 90’, sepse gjatë komunizmit ishim të izoluar dhe marrëdhëniet ishin zero. Pas viteve 90’ ka pasur momente të bukura dhe të shëmtuara, ka pasur konflikte, tensione dhe shtendosje. Do ta kërkoja fajin te të dyja palët, jo vetëm te pala greke siç bëjnë zakonisht komentatorët dhe politikanët shqiptarë. Faji është i dyanshëm. Unë vet kam pritur më shumë nga Greqia në marrëdhëniet tona dypalëshe”.
I pyetur mbi hapjen e ambasadës në Bosnjë, analisti shprehet:
“Një arsye politike që bën kuptim, bën sens. Është i vetmi vend i Ballkanit që s’kemi pasur marrëdhënie diplomatike në këtë nivel. Ka qenë pakuptim përderisa kemi me Maqedoninë, Malin e Zi. Ti ke me Serbinë, pse mos kesh me Bosnjën, ndërkohë që kemi një histori marrëdhëniesh të hershme gjatë Perandorisë Osmane. Është një lëvizje për t’u përshëndetur”.



