
Policia e Kosovës arrestoi të mbrëmë në Prishtinë, Dardan Molliqajn, kryetar i Partisë Socialdemokrate, një parti opozitare jo parlamentare, nën dyshimin për “sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur me 29 janar, gjatë një proteste të organizuar nga kjo parti kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Gjatë protestës pati përplasje me policinë, e cila dyshon se zoti Molliqaj goditi njërin nga pjesëtarët e saj.
Policia e arrestoi zotin Molliqaj në oborrin e studios së televizionit T7, ku ishte ftuar në një debat.
Policia tha se e kishte kërkuar zotin Molliqaj në adresat e banimit dhe “nuk e kishte hasur” ndërsa shtoi se “i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”.
Ndërkaq sipas zyrtarëve të partisë së Molliqajt, Policia e Kosovës shkeli ligjin për arrestimin e tij, pasi sipas tyre, nuk kishte fletarrest dhe një i tillë po përpilohej tek pas arrestimit.
Nga PSD-ja thanë se Molliqaj ka qenë në zyrë gjatë gjithë kohës, por policia zgjodhi hapësirat e një televizioni për ta arrestuar.
“Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”, njofton PSD.
Pas arrestimit të Molliqajt dhe dërgimit të tij në stacion policor, Policia e Kosovës publikoi një foto të ftesës për paraqitje në stacion, të cilën tha se ia ka dërguar Molliqajt.
Arrestimi i Molliqajt ngjalli reagimin e krerëve të partivë opozitare dhe analistëve.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se arrestimi i dhunshëm i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike.
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e arrestimit të Molliqajt është pak e çuditshme, pasi kauza e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës ishte e drejtë.
Kryetari Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se arrestimi i Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm. Sipas tij, arrestime të tilla nuk shihen në demokraci.
Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga dita kur u mbajt protesta e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, vendim ky që pritet të merret së shpejti pasi ZRRE-ja i ka bërë rekomandim qeverisë.
Në protestën që pati mijëra qytetarë nuk pati incidente, megjithatë më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa godet me shuplakë një zyrtar policor.



