
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një deklaratë për mediat nga Gadishulli i Karaburunit, bëri me dije në këtë zonë ka zero vatra zjarri.
Ndërkohë në lidhje vatrat e zjarrin në zonat e tjera të Shqipërisë, tha se aktualisht janë aktive 9 vatra, por më kritikja është në Kukës ku ka dy vatra.
Gjithashtu në lidhje me zjarret në qarkun e Vlorës, Peleshi i bëri thirrje Bashkisë Vlorë që të ruajë territorin nëse aktivizohet ndonjë vatër zjarri, ndërsa shtoi se është detyrë e pushtetit vendor.
Ndodhemi pranë vatrës më serioze. Nuk jemi në një moment triumfi përfundimtar, por të paktën për këtë zonë që na ka munduar, sot mund të themi që ka zero vatra zjarri.
Sot Gadishulli i Karaburunit është i qetë, pa vatra zjarri. Por kemi ende shumë ditë të nxehta përpara, çdo gjë mund të ndodhë.
Jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të përballuar çdo gjë, por mirë. Kemi ende 9 vatra zjarri aktive, më kritikja është në Kukës, dy vatrat atje.
Kemi 175 vatra zjarri të shuara, kemi rreth 3 mijë trupa në rang vendi të angazhuara, kemi 1.500 forca zjarrfikëse në të gjithë vendin.
Meqë jemi te pushteti vendor, unë dua të them tani që këtë zonë sic e shikoni të pastër ia kthejmë mbrapsht në administrim e përgjegjësi sic e ka me ligj pushteti vendor, në rastin konkret e ftoj bashkinë e Vlorës të ngrihet në lartësinë e detyrës e të përgjegjësisë ligjore të marrë përsipër administrimin, kontrollin, vigjilencën le të rrinë këtu ditë e natë sepse Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë detyra të tjera.
Ndonjëherë duke qenë se na shikojnë cdo ditë në tv e cdo sekondë në frontin e parë të punës krijohet perceptimi se kjo është një detyrë parësore e jona, në fakt dua të sqaroj që ne jemi në mbëshetetje pasi pushteti vendor ka shteruar burimet e veta.
Ligji ngarkon me përgjegjësi administrimi dhe menaxhimi të emergjencave civile bashkitë e vendit tonë që detyrohen të kenë 4% të buxhetit të alokuar për emergjencat civile.
Pasi të përdorin mjetet e tyre zjarrfikëse dhe këtë buxhet atëherë thërrasin për ndihmë.
Kur del flaka në majën e malit apo mes parkut ne nuk fshihemi pas këtyre burokracive por do ishte mirë që në kohën e duhur seciili të bëjë detyrën e vet në mënyrë që flaka mos shkojë deri në majë e pastaj i biem shkurt e marrim në telefon helikopterët, e të themi pastaj ku janë helikopterët e ministrisë së Mbrojtjes.
Ne nuk kemi pafund helikopterë, kemi dhe ne problemet tona, na shërben edhe ne jo situatë për të reflektuar e për të qenë më të përgatitur vitin tjetër, nuk jemi perfekt, por duhet ta dini që ne jemi e duhet të jemi hallka e fundit e ndërhyrjes.
Do u lutesha të gjithë hallkave të tjera të bëjnë detyrën e tyre.
Nga ky moment bashkia e Vlorës të ngrihet në lartësinë e detyrës, të vijë këtu të ruajnë ditë e natë me mjetet e forcat e veta.
Edhe nëse ndodh një vatër ta fikin vetë të përdorin gjithë burimet e tyre e në rast se i shterojnë ato ne jemi gati.



