Partia Demokratike, referuar raportit të Standart and Poors, shprehet se vendi jonë rrezikon të jetë një nga 15 vendet me rrezikun më të lartë për ekonominë për shkak të pandemisë së COVID-19, për këtë arsye i bën thirrje qeverisë Rama të veprojë sa më shpejt.
Është ish- deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila shprehet se plani ekonomik i prezantuar nga qeveria për pasojat e koronavirusit është i pamjaftueshëm, dhe nëse nuk do të reflektohet në kohë, sipas saj vendi ynë do ta vuajnë më gjatë se gjithë rajoni krizën ekonomike. Ajo ka hartuar 4 pyetje për qeverinë, për të cilat shprehet se Rama nuk ka asnjë përgjigje.
"Çfarë do të bëhet me të paktën 35 mijë biznese të vogla me xhiro deri në 140 milionë lekë që nuk perfitojnë nga paketa e ndihmës? Çfarë do te behet me dhjetëra mijera të papunë, që nuk janë pjesë e skemës së papunësisë? Me çfare do te ushqehen ata? Çfarë do të bëhet me rreth 70 mijë familje qe i kanë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmes ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë? Kush do të kujdeset për ta? Çfarë do të bëhet me mijëra ambulantët që nuk janë përfshirë fare në vendimin gjysmak të qeverisë? Si do të ushqehen ata, kur qeveria ka ndaluar aktivitetin e tyre", shkruan Tabaku.

Tabaku thekson se Shqipëria është një nga 20 vendet më të rrezikuara edhe në lidhje me mungesën e të ardhurave për qytetarët.
Sipas saj, nëse nuk veprohet nga qeveria kjo mungesë të ardhurash do të godasë shumë rëndë qindra mijë familje shqiptare.
“Ekonomia e brishtë rrezikon shumë nga kjo krizë edhe sepse shqiptarët dhe mbi të gjitha shtresa e mesme që ka mbajtur peshën e taksave të larta, bizneset e vogla që mbajnë mbi 200 mijë familje pak mbi kufirin e varfërisë po goditen rëndë nga masat e marra prej pandemisë. Konsumi i qytetarëve ka rënë, investimi i bizneseve për të zgjeruar biznesin e tyre ka rënë. Pagat janë të ulëta ndërsa kostoja e jetesës është rritur”, thekson ajo.



