
Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit publikoi fotot dhe e akuzoi se bënte përshesh me virusin, ndërkohë që në vend ka nisur vaksinimi masiv.
Sipas PD-së, Rama reagon në këtë mënyrë, pasi ndihet i frikësuar nga qytetarët e Shqipërisë që duan të sjellin ndryshimin që i nevojitet vendit tonë.
“Rama ndihet i frikësuar nga qytetarët e Shqipërisë që duan të sjellin ndryshimin që i nevojitet vendit tonë.
Ka vetëm dy mundësi: një lider që punon për ju, për të sjellë ndryshimin që i nevojitet Shqipërisë, për t’i përmirësuar jetët tona, ose Rama i cili dështoi për 8 vite dhe ua dha Shqipërinë oligarkëve.
Më 25 prill, Shqipëria do të fitojë dhe Rama do të humbë!”, shkruhet në reagimin e PD.
Pas përgjigjies së PD e cila tha se Rama ka frikë nga qytetarët që duan ndryshimin, Rama shkruan se ai është i frikësuar për njerëzit e tij, të cilët të mbledhur në grumbull rrezikojnë nga COVID.
"O lula unë jam i frikësuar për njerëzit tuaj që i bëni mish për top me grumbullimet e turpshme të papërgjegjshmërisë suaj, duke mbledhur njerëz të verbër me makina e me bori, që virusi të bējë dasëm teksa dhëndrri juaj premton ta bëjë ditën natë! Premtim i mbajtur fatkeqësisht“, shkruan Rama.



