Analisti Agim Baçi duke folur në MCN Live e konsideroi lirimin e liderit të opozitës Sali Berisha nga masa “arrest shtëpie” një vendim të mirë.
Baçi theksoi se opozita duhet të gjejë rrugën që mosbindja civile të jetë më shumë e qytetarëve se sa e PD-së.
“Më vjen mirë që është marrë ky vendim, është lideri i opozitës, është normale ta drejtojë fushatës. Gjyqi le të vazhdojë, ai do të mbrohet, por politikisht është një gjë e mirë. Ka ardhur natyrshëm, sepse ka filluar procesi i gjykimit të çështjes. Ka mbaruar mbledhja e provave. Ne dëshirojmë që gjërat të jenë proceduriale, pavarësisht se leximet janë politike për çdo gjë në Shqipëri. Opozita duhet të gjejë rrugën që ajo mosbindja të jetë më shumë e qytetarëve, se sa e PD. Nuk ka mosbindje ‘s’do bindemi nga ora 05:00 deri në 08:00’! Jam kundër atyre që thonë ça bëhet pse po bllokohen rrugët, ky është cinizëm i madh, problemi është pse nuk po bashkohen qytetarët”.
Baçi e konsideron të ligjshme kërkesën e opozitës për një qeveri teknike. Ai vë në dukje se opozita duhet të lërë mënjanë egoizmin e saj.
“E gjithë kërkesa e opozitës për një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira është e ligjshme, sepse zgjedhjet e lira jo vetëm nuk bëhen, por dekurajohen edhe hetimet ndaj atyre që ndikojnë në zgjedhje. Por shikoj pak gjasa që Rama të ulet, ai shmang debatet, nuk jep llogari, nuk mban përgjegjësi. Duhet të na shqetësojë që Rama quan budallenj çdo njeri që nuk mendon si ai. Opozita duhet të lërë mënjanë egoizmin e tyre nëse qëllimi është t’i japin fund një qeverisje që i dhunon. Mund të jetë një ide tjetër që të mblidhet gjithë opozita për të përfaqësuar një person”.



