
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të mbajnë sot në Ohër të Maqedonisë Veriore takimin e radhës në kuadër të dialogut.
Para takimit, Kurti, ka thënë se ka ardhur me qëllim të mirë në Ohër për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo, ka shtuar se derisa nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit nuk mund të ketë marrëveshje.
Liqeni i Ohrit është liqen tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni të gjithë këtu. Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i të gjithëve…Përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që nuk u nënshkruam në Bruksel me 27 shkurt të vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit. Në këtë mënyrë të rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim
Më tej Kurti theksoi se ai është për dialog serioz dhe të hapur që duhet të reflektojë në marrëveshje. Paraprakisht, Kurti tha se ka zhvilluar takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe presidentin Pedarovski.
Pas takimeve me secilin, do të mbahet edhe një takim i përbashkët, i cili do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.



