
I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Demian Smith dhe i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian, Alexis Hupin u takuan sot së bashku me Avokaten e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca. Takimi vjen për të diskutuar procesin e rinovimit të anëtarëve jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ata theksuan rolin kritik të Avokatit të Popullit në sigurimin e konkurrencës së bazuar në merita, të ndershme dhe transparente për anëtarët e rinj jo-magjistratë të KLGJ dhe KLP. Ambasada e SHBA thotë se bashkë me delegacionin e Bashkimit Europian do të ndjekin dhe mbështesin nga afër këtë proces në të gjitha fazat duke pasur parasysh rolin qendror të të dy Këshillave në progresin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi në Shqipëri.



