
Analisti Mentor Kikia për kandidatët për kryebashkiakë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit, thotë se janë eliminuar ata që diheshin.
Ai deklaroi për MCN Live se Partia Socialiste zotëron pushtetin qendror në të gjitha qelizat dhe pushtetin vendor përveç Shkodrës dhe se ata kryetarë bashkie që kanë konsumuar 1 apo 2 mandate, kanë krijuar rrjetin e tyre të mbështetësve dhe gjithçka që prodhon votë.
Dihet që partia që është në pushtet, kur futet në zgjedhje futet me një bonus.
Edhe pse në Shqipëri kjo ekzagjerohet, se çdo nëpunës shihet si votë e PS, gjë që nuk duhet se administrata është e shtetit, pasuri kombëtare për të cilën punohet dhe jo të shantazhohet si kusht për të mbajtur vendin e punës.
Rama ka qenë më i qetë në këtë drejtim, PS ka qenë në luksin që ka mbajtur njerëzit që ka pasur, për shkak se ata kanë krijuar mjedisin e tyre mbështetës.
Shkodra është një lloj basti sepse është thyer gjithmonë, është si kalaja e Krujës me turqit. PS është thyer gjithmonë në Shkodër.
Rama si askund tjetër ka përdorur me koshiencën e tij politikanë të lidhur me botën e krimit për të pasur mbështetje në Shkodër, por sërish nuk e ka marrë.
Gabimisht është krijuar legjenda e bastioneve dhe kjo shkon në dëm të qytetarëve. Se kur një parti e sheh të sigurte një zonë, nuk punon.
Shkodra ka qenë në një farë mënyre e ndëshkuar, duke qenë me kryetarë bashkie të djathtë, socialistët janë treguar hakmarrës, duke mbështetur me projektet e Rilindjes urbane edhe qendrat e vogla, ndërsa me Shkodrën janë treguar dorështrënguar.
Për këtë arsye ka mbetur pezull një projekt që do krijonte një by pass, apo një barrierë që do mbante nën kontroll nivelin e reshjeve më liqen. Shkodra është një sfidë për të dyja.
Lidhur me megaoperacionin anti-kanabis në Malësi të Madhe ku u zbuluan 27 sera me bimë narkotike, Kikia deklaroi se toleranca që i është bërë kanabizimit është kthyer në votë dhe kjo bëri që Lazarati të njihej si zonë e PD.



