Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj force politike, ku ka pranuar se klasa politike ndodhet në një krizë. Sipas Idrizit kriza nuk është vetëm tek çadra ku po zhvillon protestën opozita, por edhe në Parlament aty ku është bllokuar reforma në drejtësi. Kreu i PDIU tha se kriza mund të kalohet me bashkëpunim dhe dialog duke kaluar proceset e reformës.
“Ju ftoj të bashkoheni me PDIU për forcimin e demokratizmit të vendit. Këtë krizë nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim. Kuvendi i Shqipërisë, e dini shumë mirë që ka krizë, pasi është bllokuar reforma në drejtësi. Nuk merrem me retorikë kush e ka bllokuar. Sipas PDIU kriza politike kalohet duke u bashkuar dhe kaluar reformën në drejtësi. Besojmë se kjo reformë dhe pasojat e saj do jenë pozitive. Nuk është e vërtetë që kjo reformë ka të bëjë vetëm me sistemin e drejtësisë, por me gjithë sistemin politik. Unë propozoj që të gjenden përpjekjet për të dalë nga kjo krizë. Jemi gati të ulemi me këdo që të çojmë para këtë reformë. Nuk kemi treguar se ne dimë të kalojmë krizat politike. Nuk di si do zgjidhet kjo krizë.”- tha Shpëtim Idrizi.
Kreu i PDIU gjatë fjalës së tij deklaroi se kur vetëm pak muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe makina jonë elektorale tashmë është e ndezur prej kohësh. "Jam i bindur, madje jo i bindur, por krejt i sigurtë që në zgjedhjet e 18 qershorit do të dalim me dyfishim të grupit të sotëm parlamentar, me dyfishim të deputetëve të PDIU-së në Parlament. Kanë vetëm një mënyrë që ta ndalin këtë vrrull të jashtëzakonshëm njerëzor, patriotik dhe politik që prej kohësh ka përfshirë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ata duan që mos të na numërojnë votën. Vetëm në këtë mënyrë mund të na mbajnë në suazën e një partie të vogël, e cila jo përherë të hyn në punë", tha ai në fjalën e tij.
Më tej idrizi theksoi, "Që mos ta bëjnë më lojën e faktit të kryer, po jua them sot, ditën e fundit të shkurtit që njeri për shkurt Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk i bie më! Nuk kërkojmë asnjë gjë që nuk takon. Kërkojmë numëruesin që na jep ligji. As kërkojmë të na fali njeri numërues, por thjesht të zbatojnë ligjin. Kemi vënë në dijeni qysh tani partnerët europianë, OSBE-në, partnerët tanë në koalicionin e sotëm që këtu nuk luajnë dot ose përndryshe në aleanca rrenacake ne nuk qëndrojmë!".



