
“Kam punuar me shpirt që Basha të bëhej kryeministër, puna ime nuk u vlerësua”, kështu u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, demokrati Agron Shehaj. Duke folur për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit, Shehaj tha se puna e tij jo vetëm që nuk u vlerësua, por i është quajtur si punë personale dhe jo punë për partinë dhe ky sipas tij është një nga problemet që ka PD sot.
“Unë kam punuar me mish e me shpirt që PD të vinte në pushtet, që Basha të bëhej kryeministër, por puna ime jo vetëm që nuk u vlerësua por u quajt si punë për vete dhe jo për partinë. Ky ka qenë një nga problemet”, tha Shehaj.
Por pavarësisht kushteve të garës që cilësohen si jo të barabarta, Shehaj tha se gara është gjëja e duhur për të sjellë ndryshimin në PD.
“Pavarësisht kushteve të garës mendoj se kjo është gjëja e duhur. Unë krijova bindjen se kështu nuk vazhdohet më. Unë kam një mendim tjetër dhe jam i bindur që nëse nuk përsërisim ato që kemi bërë për katër vjet do të vijë ndryshimi. Nëse një kryetar partie humb zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen. Basha përveç se është kryetari në këtë garë është i vetmi që ka listën. Nuk kam tentuar ta takoj sepse nuk e kam parë të arsyeshme. As ai nuk më ka kërkuar për ta takuar”, shtoi ai.



