
Në Kuvend, Sali Berisha mbështeti ndërtimin e resortit në Zvërnec me vlerë rreth 4 miliardë euro, duke e cilësuar si një nga investimet më serioze të 13 viteve të fundit.
Ai akuzoi qeverinë për pengim të investitorëve të huaj dhe theksoi se mungesa e tyre po dëmton ekonominë, ndërsa theksoi se shteti duhet të garantojë siguri juridike dhe dëmshpërblim për qytetarët në rast konfliktesh pronësore.
Prej 13 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në Shqipëri dhe investitori i vetëm i mbetur po përballet me përpjekje për t’u larguar. Sipas ‘Europe Tender’, asnjë tender nuk është fituar nga kompani europiane, ndërsa edhe një projekt i madh në Gjirin e Lalzit u braktis pas pengesave dhe presioneve.
Sot mungojnë investimet e huaja serioze, ndonëse në të kaluarën ato arrinin deri në 1.4 miliardë euro në vit. Qëndrimi ynë është i qartë: investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e vendit dhe duhen mbrojtur.
Kur një projekt është miratuar nga shteti, investitori nuk duhet të mbajë përgjegjësi për konfliktet e mëvonshme. Shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarët dhe të ndëshkojë abuzuesit me ligj.
Në reagimin e tij në Kuvend, Taulant Balla konfirmoi se projekti i resortit në Zvërnec do të vijojë, pavarësisht debatit publik dhe protestave të banorëve për pronat.
“Investimi do të bëhet”, u shpreh Balla, duke shtuar me ironi se “komshiu e ka zili komshiun”, në përgjigje të kritikave dhe qëndrimeve kundër projektit.



